Mot i paqëndrueshëm në gjithë rajonin: Reshje, vranësira dhe intervale të shkurtra me diell

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

03 dhjetor 2025

Moti i sotëm në hapësirat shqiptare do të dominohet nga vranësira të dendura dhe reshje të herëpashershme, ndërsa në disa zona do të ketë vetëm intervale të shkurtra me diell. Temperaturat në tre kryeqytetet shqiptare shënojnë këto vlera: në Prishtinë minimalja rreth -1°C dhe maksimalja deri në 10°C, në Tiranë pritet të luhaten nga 5°C deri në 15°C, ndërsa në Shkup nga 2°C deri në 12°C.

Në Kosovë dita e mërkurë pritet të jetë kryesisht e mbuluar me vranësira, me rrebeshe lokale dhe kalimtare shiu në disa rajone, ndërsa periudhat me diell do të jenë të kufizuara.

Në Shqipëri moti sjell rikthim të reshjeve më intensive, të shoqëruara lokalisht me vetëtima dhe bubullimë. Në zonat malore veriore dhe lindore priten reshje të pakta bore, një situatë e ngjashme edhe në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut dhe jug të Kosovës.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi do të ketë reshje shiu, me intensitet më të lartë kryesisht në jug të Malit të Zi.

Moti i paqëndrueshëm pritet të vazhdojë edhe të enjten dhe të premten, me reshje të herëpashershme lokale, më të pakta në Kosovë dhe më të shumta në pjesë të Shqipërisë. Intervalet pa reshje herë pas here do të ndërpresin situatën e lagësht.

Fundjava po ashtu pritet të vijë me vranësira dhe reshje lokale shiu, ndërsa bora do të paraqitet vetëm në zonat malore. Të dielën mund të ketë një përmirësim të lehtë të motit, por kjo mbetet ende për t’u konfirmuar.

Scroll to Top