ministria e arsimit

Ministria e Arsimit heq nga përdorimi doracakët e “Edukimit Seksual”, do të rishikohen

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se doracakët e lëndës “Edukim Seksual”, do të largohen nga përdorimi dhe nga faqja zyrtare e MAShTI-it deri në përfundim të rishikimit të tyre.

Sipas ministrisë, rishikimi do të bëhet nga “komisioni me ekspertët më të mirë në vend, dhe të gjitha palët kompetente që i japin siguri e qartësi këtij procesi”.

“Për procesin e rishikimit Ministria do të formojë një komision me ekspertët më të kualifikuar në vend. Të ftuar do të jenë të gjitha palët relevante, përfshirë Këshillin e Prindërve të Kosovës. Ky proces do të kryhet në mënyrë profesionale, etike e transparente, dhe me tërë përkushtimin që kërkon ligji dhe detyra.Duke marrë parasysh shqetësimet e prindërve në adresë të Ministrisë, sqarojmë edhe një herë që nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual. Edukimi seksual synon të pajisë fëmijët dhe të rinjtë me njohuri të bazuara në fakte shkencore rreth shëndetit seksual dhe riprodhues, dhe i ndihmon të kuptojnë ndryshimet trupore që ndodhin gjatë zhvillimit”, shkruan në njoftim, përcjell Klankosova.tv.

“Lidhur me doracakët për mësimdhënës, prej vitit 2019 janë trajnuar më shumë se 2500 mësimdhënës. Deri tani nuk ka pasur asnjë shqetësim nga asnjë palë, përfshirë ekspertët shëndetësorë, psikologët, mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, Drejtoritë Komunale apo palë të tjera në lidhje me përmbajtjen e doracakëve. Pra, nga asnjë mësimdhënës nuk është ngritur kurrë më parë kjo temë. Ministria e Arsimit kujdeset me të gjitha resurset njerëzore për mirëqenien e fëmijëve në vendin tonë. Ndaj këtë proces të rishikimit do ta kryejmë me përgjegjësinë më të lartë etike dhe profesionale. Ndërkohë, Ministria e Arsimit kërkon nga të gjithë të përmbahen prej gjuhës tejet të papërshtatshme që po përdoret ditët e fundit”, tha mes tjerash MAShTI.

Scroll to Top