MI nënshkruan kontrata rreth 20 milionë euro për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Pejë, dy lote kthehen në rivlerësim

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

18 korrik 2025

Ministria e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Ministri në detyrë, Liburn Aliu, ka nënshkruar kontrata në vlerë rreth 20 milionë euro për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc-Zahaq, tender i ndarë në katër lote.

Kontratat e nënshkruara janë për Lot 3 dhe Lot 4. Kohëzgjatja e kontratave është për 36 muaj, teksa tenderi është dhënë me procedurë të hapur.

Për Lotin 3, vlera e kontratës është 10 milionë e 620 mijë e 889 euro, teksa tender i është dhënë grupit të operatorëve ekonomik “JOOS&KRASNIQI – BAZE SH.P.K; ILEA – GR SH.P.K; Albavia sh.p.k; BERISHA COM SH.P.K”.  Gjithsej 25 oferta ishin pranuar për këtë tender.

Ndërkohë, kontrata në vlerë prej 8 milionë e 843 mijë e 292 euro i është dhënë konsorciumit “Lika Trade SH.P.K; Lika Company SH.P.K”. Edhe për këtë tender janë pranuar 25 oferta.

Kontratat janë nënshkruar më 8 korrik.

Për Lot 1 dhe 2, tenderi është kthyer në rivlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurorimit më 7 korrik, pas ankesave të kompanive.

Tenderi për zgjerimin e kësaj rruge ishte hapur në korrik të vitit të kaluar. Vlera e parashikuar për këtë tender është 45 milionë e 690 mijë euro.

Scroll to Top