Memli Krasniqi jep dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 nentor 2025

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sot pritet të jap dorëheqjen nga posti i udhëheqësit të partisë.

Burimet e Lapsiinfo kanë bërë të ditur se dorëheqjen ai do ta ofrojë në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PDK-së.

Poashtu mësohet se ky veprim vije si rezultat i mosarritjes së objektivave të PDK-së në zgjedhjet e fundit lokale. 

Me këtë veprim, thuhet se do të hapet rruga për mbajtjen e një konvente të re zgjedhore të PDK-së 

Pas mbledhje së Kryesisë, Krasniqi do të mbaj një konferencë për media.

Në zgjedhjet lokale PDK-ja ka fituar gjashtë komuna: Prizrenin, Ferizajn, Skenderajn, Vushtrrinë, Kaçanikun, Hanin e Elzeti.

Në këto zgjedhje, PDK-ja ka humbur Drenasin dhe Mitrovicën.

Më 3 korrik të vitit 2021, Memli Krasniqi ishte zgjedhur kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës. 

Në këtë post, Krasniqi ishte zgjedhur me shumicë votash të delegatëve të PDK-së. 

Në konventën zgjedhore të partisë, ai kishte marrë 469 vota. Vetëm 7 vota ishin kundër.

Memli Krasniqi ishte kandidati i vetëm në këtë garë pasi asnjë anëtar tjetër i PDK-së nuk kishte paraqitur kandidaturën për kryetar të këtij subjekti politik.

Partia Demokratike e Kosovës kishte mbetur pa kryetar më 5 nëntor të vitit 2020 kur Kadri Veseli kishte dhënë dorëheqje nga drejtimi i partisë pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës ia kishin konfirmuar aktakuzën.

Kujtojmë se para se të jepte dorëheqje, Kadri Veseli si ushtrues detyre të kryetarit të partisë e kishte vendosur Enver Hoxhajn.

Scroll to Top