Me arrestimin e ish-policit Spahiu, Serbia krijoi databazë të zyrtarëve aktivë dhe joaktivë të Kosovës

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

19 qershor 2025

Arrestimi i ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, më 7 qershor në Serbi, po shihet si pjesë e një veprimi të koordinuar politik të shtetit serb kundër ish-zyrtarëve të sigurisë së Kosovës.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, e quan këtë rast jo thjesht një çështje ligjore, por pjesë të një strategjie të qëllimshme të Beogradit.

Shala tha se ky rast tregon për një tendencë shqetësuese të autoriteteve serbe për të targetuar ish-pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Kosovës.

“Kemi një element faktik, një zyrtar që tri vjet nuk është pjesë e strukturave të sigurisë së Kosovës, i cili në rrugëtim ishte ndalur në pikën kufitare Hungari dhe Serbi, ku ka filluar një procedurë hetimore që ka rezultuar me paraburgim prej 30 ditësh dhe akuzohet për përfshirje në rastin e Banjskës, i cili në aspekt faktik nuk ishte pjesë e Policisë së Kosovës, sepse në intervalin kohor e kishte lënë policinë për afër katër muaj”, tha ai në një intervistë për Ekonomia Online.

Sipas tij, ky është një rast tjetër që tregon për nevojën e shtuar të veprimit institucional dhe diplomatik nga autoritetet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë.

”Mund ta konstatojmë një fakt dhe argument: shteti i Kosovës do të duhej të veprojë me një intensitet më të shtuar dhe të gjithë pjesëtarët dhe ish-pjesëtarët e kanë parasysh që veprimet që merren nga shteti serb, madje të deklaruara publikisht, do të jenë të rrezikshme për të kaluar nëpër Serbi. Serbia tani ka filluar një fushatë shtrigash në arrestimin dhe identifikimin e zyrtarëve”, tha ai.

Scroll to Top