Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
30 maj 2025
Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit më 2 qershor pritet ta dorëzojnë mocionin për rrëzimin e pikave të aktakuzës.
Pas mbrojtjes, Prokuroria ka një muaj kohë që t’i përgjigjet këtij mocioni.
Javë më parë në Kosovë qëndroi kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, e cila e anuloi konferencën që ishte thirrur për media. Ndërkohë, deklarimi i saj i djeshëm se protesta e veteranëve ishte tregues i qartë se pse procedurat gjyqësore po zhvillohen jashtë Kosovës, ka nxitur reagime në Kosovë.
Nënkryetari i OVL UÇK-së, Fatmir Sopi, tha se këto aludime janë të pavërteta dhe dashakeqëse.
“Unë mendoj se nuk është e vërtetë ajo, sepse gjykime ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka pasur që nga paslufta, me gjykata të UNMIK-ut, me gjykata të EULEX-it, po ashtu edhe në gjykata vendore. Prandaj, asnjë problem nuk ka pas zhvillimi i këtyre gjykimeve brenda në Kosovë. Ajo duhet ta dijë që dikush që e quan UÇK-në ndërmarrje të përbashkët kriminale nuk do të pritet kurrë në Kosovë me lule, do të pritet gjithmonë me protesta”, ka thënë Sopi.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se deklaratat e Trendafilovës nuk qëndrojnë, pasi Kosova ka dëshmuar disa herë sigurinë e saj.