Mbi 6 mijë shqiptarë pritet të protestojnë në Strasburg kundër Gjykatës Speciale

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

14 nentor 2025

Rreth 6 mijë protestues nga gjithë trojet shqiptare pritet të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), e cila do të mbahet më 16 nëntor në Strasburg, përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Protesta organizohet si shenjë kundërshtimi ndaj, siç vlerëson OVL-UÇK, padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha për Ekonomia Online se përgatitjet janë drejt finalizimit, ndërsa koordinimet me këshillin organizativ në Evropë dhe me mërgatën shqiptare tashmë janë përmbyllur.

“Sapo kemi përfunduar fazën e fundit të përgatitjeve. Kemi mbajtur takime me përfaqësues të mërgatës në shumicën e shteteve evropiane dhe bashkëpunimi me ta ka qenë i jashtëzakonshëm. Më 16 nëntor, në orën 13:00, do të jemi para Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës për të ngritur zërin kundër rezolutës së Dick Martyt, e cila çoi në krijimin e Gjykatës Speciale”, u shpreh Gucati.

Sipas tij, shumë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë siguruar bileta të lira drejt Bazelit dhe Shtutgartit, prej nga do të udhëtojnë për në Strasburg.

“Kemi informacione se pjesëmarrja mund të kapë shifrën prej 5 deri në 6 mijë protestuesish. Vetëm nga Kosova presim mbi 1 mijë udhëtarë. Shumë kanë gjetur bileta të favorshme drejt Bazelit dhe Shtutgartit, megjithëse disa kompani i kanë shtrenjtuar çmimet për shkak të kërkesës së lartë”, tha ai.

Gucati konfirmoi se të gjitha kapacitetet hoteliere në Strasburg janë tashmë të rezervuara kryesisht nga protestues shqiptarë, ndërsa shumë të tjerë po orientohen drejt zonave përreth.

“Në Strasburg nuk ka më vende të lira në hotele. Shumë pjesëmarrës janë detyruar të rezervojnë në periferi, madje edhe në qytete të tjera si Kolmar. Përvojat nga protestat e mëparshme tregojnë se pjesëmarrja shpesh tejkalon pritshmëritë, siç ndodhi në Holandë ku u regjistruan mbi 11.500 protestues, apo në Tiranë dhe Prishtinë”, tha Gucati.

Ai theksoi gjithashtu se organizatat e dala nga lufta nuk kanë marrë mbështetje financiare nga qeveria, ndërsa aktivitetet e tyre janë realizuar falë donatorëve.

“Deri më sot nuk kemi marrë asnjë ndihmë financiare nga qeveria. Edhe protesta në Holandë është mbështetur tërësisht nga donatorët,” deklaroi Gucati.

Scroll to Top