Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
15 qershor 2025
Cepi juglindor i Evropës, përfshirë Kosovën, po shndërrohet në terrenin ku shtetet më të fuqishme përpiqen të zhvendosin një nga dilemat e tyre: çfarë të bëjnë me migrantët që nuk i duan brenda kufijve të vet.
Së fundi, Kosova është pajtuar të strehojë 50 migrantë nga shtete të treta që qëndronin në SHBA, ndërsa ka shprehur gatishmëri për të strehuar edhe azilkërkuesit e refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Qeveria e Kosovës, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme që do ta ketë për detyrë zbatimin e marrëveshjes me SHBA-në, nuk janë përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë temë.
Se çfarë fiton Kosova nga kjo marrëveshje, nuk kanë treguar as nga Departamenti amerikan i Shtetit, që vetëm ka thënë se SHBA-ja i është “mirënjohëse partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta, të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.
Çka fiton Kosova?
A përbëjnë këto marrëveshje vërtet përparim strategjik për Kosovën? Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit, thotë se këto marrëveshje duhet të kuptohen “si një formë bashkëpunimi bilateral, dhe jo si një moment transformues në pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës”.
“Kjo e forcon imazhin e Kosovës si partnere e besueshme, por nuk e ndryshon thellësisht dinamikën e marrëdhënieve, veçanërisht kur çështje kyçe politike, si dialogu Kosovë-Serbi, vazhdojnë të jenë burim tensioni në mes të dy vendeve”, thotë Emini.

















