LVV-ja thërret konferencë për media pak para vazhdimit të seancës, s’dihet arsyeja

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

11 korrik 2025

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se do të mbajë konferencë për media gjysmë ore para fillimit të vazhdimit të 45-të të seancës konstitutive.

Arsyet e konferencës nuk janë shpaluar, përveç kohës – 10:30 dhe lokacionit: në hollin pranë Sallës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Tash e tre muaj Vetëvendosja ka dështuar të sigurojë shumicë parlamentare për të vijuar me konstituim të Kuvendit të Kosovës, ndërsa procesi ka ngecur tek emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – me Vetëvendosjen që kërkon votim të fshehtë, pasi kandidatja e saj Albulena Haxhiu s’i mori 61 vota të nevojshme në votim të hapur – por partitë e tjera e kundërshtojnë një mënyrë të tillë të votimit.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë. Afati i fundit është 22 korriku.

Scroll to Top