Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
23 prill 2025
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga emri i Albulena Haxhiut si propozim për postin e kryeparlamentares.
Këtë e ka konfirmuar vetë Haxhiu, por edhe deputetë të tjerë të LVV-së që kanë folur para përpjekjes së pestë të Kuvendit për konstituim.
“Ne vazhdojmë ta mbajmë qëndrimin e njëjtë”, ka thënë Haxhiu para hyrjes në Kuvend të martën.
Ajo ka paralajmëruar takim konsultativ me partitë tjera, por ka përsëritur se e mbajnë qëndrimin e njëjtë.
E deputetja Saranda Bogujevci, për të cilën AAK-ja ka thënë se do ta votonte po të propozohej për kryeparlamentare, ka thënë se “nuk mundet një grup individësh nga subjekte të tjera të caktojë personin që VV-ja e ka si propozim”.
“Haxhiu është ndër gratë jo më të votuara në vendin tonë, por të njëjtën kohë ka përvojë të gjatë jo vetëm si ministre por edhe si deputete. Nëse dikush me të vërtetë e meriton dhe ka mbështetjen e gjithsecilit prej nesh në këtë rrugëtim është Albulena Haxhiu. S’mundet grup individësh nga subjektet tjera politike me determinu atë ose personin që ne e kemi si propozim. Pse duhet të propozohen emra të tjerë? A më ka pyetur mua dikush? Pse e marrin atë të drejtë të bëjnë propozime të tilla. Pse duhet të jem unë e pse jo Albulena Haxhiu”, ka thënë ajo.
Në dy herë që u votua për propozimin e LVV-së që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare, ajo mori 57 vota pro. Në seancën pasuese, VV-ja kërkoi “kohë shtesë”.
E ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se shpreson që opozita ka reflektuar.
“Konstituimi i Kuvendit nuk është vetëm detyrë e partisë fituese, por e të gjithë deputetëve”, tha Murati.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i pyetur nëse kanë ndryshuar kandidatin për kryeparlamentar, ka thënë se kandidatja mbetet e njëjta, Albulena Haxhiu.
“Përzgjedhja e Kryesisë së Kuvendit përbëhet nga tri subjektet më të mëdha politike në vend, që nënkupton LVV, PDK dhe LDK. Kështu që Kushtetuta ia bart përgjegjësinë këtyre tri partive politike për ta konstituuar Kuvendin dhe Kryesinë. Pra, bie si obligim mbi tri partitë që të zgjedhin Kryesinë e Kuvendit dhe ata duhet të votojnë për ta konstituuar”.
“Jo, është e njëjta (Albulena Haxhiu)… Telenovelën po e shkaktojnë ata të tjerët. Nuk mund të na akuzojnë neve, sepse ne e kemi propozuar kandidatin dhe kemi ngritur dorën për ta votuar. Ata po refuzojnë. Kryesia e Kuvendit përbëhet nga tri partitë më të mëdha dhe Kushtetuta e thotë qartë… Nëse dikush duhet të akuzohet për bllokadë, janë ata që po refuzojnë të votojnë. Nuk jemi këtu për t’ua plotësuar dëshirat se cilin kandidat duan ata”, ka shtuar ai.

















