Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
05 maj 2025
Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, sot do të mblidhen deputetët për konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Albulena Haxhiu, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk po arrin të gjejë mbështetjen e mjaftueshme të deputetëve dhe për shkak të këtij propozimi Kuvendi ka kaluar në një ngërç.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, para fillimit të seancës tha se Albulena Haxhiu do të jetë sërish propozimi i tyre dhe se do të vazhdojnë me votim të fshehtë edhe në këtë seancë.
“Nuk ka ndryshim, sërish do ta kemi kandidaten zonjën Albulena Haxhiu. Sigurisht votimi i fshehtë nuk është as shkelje ligjore e as procedurale. Besoj se do të shkojmë në të njëjtën formë. Subjektet politike tashmë i kanë qëndrimet e tyre, unë nuk e kuptoj pse nuk shkojnë në votim të fshehtë dhe ndoshta kjo na shtynë në idenë e asaj që ata mund të kenë frikë nga deputetët e tyre. Mirëpo nuk e besoj këtë. Pra të shkojmë me votim të fshehtë. Vullneti i deputetit është vullnet i qytetarëve prandaj edhe ta zhbllokojmë këtë pjesë për të kaluar të pjesa e qeverisë”, u shpreh Rexhaj, raporton tutje.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë takim me partitë e tjera politike që të dilet nga ky bllokim, Rexhaj tha se nuk ka ndodhur ndonjë takim i ri.
“Kjo çështje tashmë është e kryetarit tonë, të partisë sonë, zotëri Kurtit, i cili besoj që e pati një iniciativë të tillë duke i thirrur liderët që të konsultohet. Kësaj iniciative iu përgjigj vetëm PDK-ja, ku diskutimet kanë qenë transparente. Aty nuk u përgjigj LDK-ja, madje e konsideroi si humor. Unë mendoj se duhet të gjenden mënyra, rrugë , tentime të ndryshme që ta zhbllokojmë këtë situatë”, tha Rexhaj.
Ai theksoi se arsyeja përse po kërkojnë që Albulena Haxhiu të votohet përmes votimit të fshehtë është për shkak se mund të ketë ndonjë deputet që mund të votojë edhe kundër qëndrimit partiak.
“Sepse me qenë se janë këta numra të cilët janë tashmë, e që të cilat ju po i shihni, mund të ketë deputetë i cili pra vendos me vullnetin e vet për ta zhbllokuar. Sepse subjektet politike kanë qëndrimet e tyre, mbajnë anë, ndoshta në vullnetin e tyre politik mund të jetë ndonjëri i cili pra vendos që ta zgjedh kryetarin e Kuvendit, të konstituohet Kuvendi në tërësi dhe të vazhdojmë me procedurat e tjera”, deklaroi Rexhaj, i cili theksoi se vullneti i lirë i deputetit, vullneti i lirë i deputetit është vullnet i qytetarit.

















