Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
12 dhjetor 2025
Luljeta Mehmeti-Quigley, një nga zyrtaret e para të Policisë së Kosovës dhe gruaja e parë e graduar në pozitën e rreshteres që nga viti 2001, ka përfunduar me sukses studimet në Akademinë Kombëtare të FBI-së.
Mehmeti-Quigley iu bashkua Policisë së Kosovës në vitin 2000, menjëherë pas themelimit të këtij institucioni, duke ndjekur më pas një karrierë të suksesshme me ngritje të njëpasnjëshme në pozita komanduese. Pas një periudhe të shkurtër në Mbretërinë e Bashkuar, ajo u rikthye në Kosovë në vitin 2013 për të vazhduar shërbimin në polici. Tani, karriera e saj shënon edhe një arritje të re me diplomimin në sesionin e 296-të të Akademisë së FBI-së.
“Ceremonia e diplomimit të sesionit 296 të Akademisë Kombëtare të FBI-së! Përvojë e jashtëzakonshme – krenare që jam e diplomuar në FBI”, ka shkruar Mehmeti-Quigley.
Shoqata Amerikane-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA) e ka vlerësuar këtë sukses si një moment të rëndësishëm jo vetëm për komunitetin por edhe për gratë kosovare në fushën e sigurisë.
“Një moment krenarie për komunitetin tonë dhe për të gjitha gratë në zbatimin e ligjit, duke thyer barrierat dhe duke frymëzuar breza të tërë. Bravo Kosovë”, thuhet në reagimin e AALEA-s.

















