LDK-ja kundër pjesëmarrjes së Bislimit në dialog: Nuk ka legjitimitet

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 qershor 2025

LDK ka reaguar pas takimit trepalësh në Bruksel, duke deklaruar se Besnik Bislimi nuk ka mandat legjitim për të përfaqësuar Kosovën në dialog me Serbinë.

Sipas LDK-së, çdo angazhim i ndërmarrë nga një qeveri në detyrë është antikushtetues dhe nuk mund të prodhojë obligime për shtetin.

Partia kërkon që dialogu të vazhdojë vetëm me institucione të reja, të dala nga zgjedhjet.

”Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje takimin e sotëm trepalësh në Bruksel në mes të zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petkoviç dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi z. Peter Sorensen. LDK konsideron se z. Bislimi nuk gëzon asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë.
Mandati i ish-qeverisë ku z. Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ish-kryeministri Kurti tanimë ka përfunduar me certifikimin e rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit. Andaj, z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në procesin e dialogut.

Negociatat me Serbinë janë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe nuk mund të zhvillohen nga një qeveri në detyrë. Çdo marrëveshje apo angazhim eventual i ndërmarrë në këtë fazë nuk do mund të prodhojnë obligime për Kosovën. Tentimi i z. Bislimi për ta futur Kosovën në obligime, pa patur mandat legjitim e demokratik, është i papranueshëm, antikushtetues dhe joligjor.
LDK kërkon që të respektohet rendi kushtetues dhe vullneti i qytetarëve të shprehur në zgjedhje. Dialogu duhet të vazhdojë vetëm me institucione të reja, të dala nga zgjedhjet, me mandat të qartë dhe përfaqësim të plotë”.

Scroll to Top