Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
06 shkurt 2026
Në disa lagje të Prishtinës janë evidentuar mbeturina të hedhura jashtë kontejnerëve, duke krijuar një pamje të çrregullt në rrugët e kryeqytetit.
Imazhe nga vendi i ngjarjes në pesë lokacione të ndryshme, duke përfshirë lagjet Ulpiana, Kalabria dhe zonën e “Rrugës B” shihet numër i konsiderueshëm mbeturinash të cilat po e shëmtojnë kryeqytetin. Rrugët ku janë krijuar këto minideponi përfshijnë: “Kadri Halimi”, “Aziz Kelmendi” dhe “Hakif Zejnullahu” në Ulpiana, “Shotë Galica” pranë Rrugës B dhe “Ali Vitia” në Kalabria.
Në afërsi të kontejnerëve janë hasur lloje të ndryshme mbeturinash, duke përfshirë mobilie të vjetra, kauçë, shtretër dhe frigoriferë, të cilat kanë mbetur të hedhura jashtë hapësirave të dedikuara për grumbullim.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, ka bërë të ditur se këto raste po trajtohen si deponi ilegale, duke theksuar nevojën për përgjegjësi qytetare dhe përdorimin e hapësirave të dedikuara për mbeturina.
“Në koordinim me Policinë e Kosovës, po i ndjekim një nga një përmes sistemit të kamerave të qytetit. Personat përgjegjës për hedhjen e paligjshme të mbeturinave po identifikohen dhe po procedohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë shqiptimin e gjobave” , u shpreh Braha.
Ndryshe, sa i përket largimit të mbeturinave Braha theksoi se vonesat kanë ardhur si pasojë e sasive të mëdha të tyre.


















