Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
27 qershor 2025
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë sqarime të rëndësishme në aktgjykimin e saj më të fundit, lidhur me krizën institucionale të konstituimit të Kuvendit, duke deklaruar se votimi i fshehtë nuk është i ndaluar, por as i detyrueshëm
Sipas saj, ky lloj votimi nuk mund të imponohet pa një bazë të qartë kushtetuese apo rregullore të shkruar.
Aktgjykimi prek drejtpërdrejt ngjarjet në seancën konstituive të Kuvendit të mbajtur më 15 prill, kur kryesuesi Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje shtyu përpara një procedurë për votim të fshehtë në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – veprim që çoi në tensione, mosmarrëveshje dhe bllokadë të procesit.
Gjykata thekson se “çështja e mënyrës së votimit në Seancën Konstituive, përkatësisht nëse duhet të jetë e hapur apo e fshehtë, nuk është përcaktuar as nga Kushtetuta dhe as nga Rregullorja e Kuvendit”.
Kjo do të thotë se nuk ka asnjë normë ligjore që e ndalon apo e urdhëron një formë të caktuar të votimit në rastin konkret.
Në vendim, Gjykata ka rikujtuar se Kushtetuta parashikon votim të fshehtë vetëm në raste të veçanta, siç janë zgjedhja e Presidentit të Republikës (neni 86) dhe zgjedhja e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese (neni 114), por jo për zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Duke iu referuar edhe një vendimi të mëhershëm (KO119/14), Gjykata nënvizon se deputetët janë të lirë të marrin pjesë dhe të votojnë sipas bindjes së tyre – qoftë përmes votimit të hapur apo të fshehtë, për, kundër apo të abstenojnë.
“Deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”, thuhet në një tjetër pjesë kyçe të aktgjykimit. “Ata vendosin në përputhje me ndërgjegjen e tyre dhe në interes të Republikës së Kosovës.”
Gjykata ka konstatuar se seanca konstituive e nisur më 15 prill, si dhe vazhdimet e saj deri më tani, nuk janë zhvilluar në përputhje me Kushtetutën.
Ajo ka vendosur që Kuvendi duhet të përfundojë procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga mbajtja e zgjedhjeve.
Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues.