Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
19 nentor 2025
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot dy seanca plenare, ndërsa në të parën – që nis në orën 11:00 – në qendër të debatit do të jenë financimi i RTK-së dhe miratimi i buxhetit për komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.
Megjithatë, partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë. Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha për Reporteri.net se partia do të bojkotojë seancën e parë, duke paralajmëruar se para fillimit të saj do të mbajnë konferencë për media. Edhe LDK ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë, duke e cilësuar agjendën e seancës si improvizim që, sipas tyre, shpërfill rregulloren dhe e kthen procesin shtetëror në “dekore fushate”. AAK dhe Nisma gjithashtu kanë bërë të ditur se nuk do të jenë të pranishme.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar grupeve parlamentare që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxhetin. Deputetja Mimoza Kusari-Lila paralajmëroi se pesë nga pikat e rendit të ditës janë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat, nëse nuk miratohen, mund të shtyjnë investime që kapin vlerën e 1 miliard eurove. Ajo theksoi se plani i rritjes, me vlerë 880 milionë euro, duhet të miratohet deri në dhjetor, përndryshe vendi mund të humbasë rreth 88 milionë euro.
Kusari-Lila kërkoi mbështetje të gjerë parlamentare dhe formimin e katër komisioneve të përhershme, duke theksuar se zgjedhjet mund të jenë zgjidhja për ngërçin aktual, por se stabiliteti financiar nuk duhet rrezikuar.
Seanca e dytë e ditës, ajo për votimin e Qeverisë, është caktuar për orën 14:00, dhe për këtë seancë partitë opozitare kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

















