Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
08 janar 2026
Shefja e Grupit Parlamentar të VetëVendosjes, Mimoza Kusari ka reaguar lidhur me takimet e organizuara nga Center for Inclusive Governance (CIG), me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ç’rast ajo është kapur në një foto me përfaqësuesen serbe, Rashkoviq-Iviq.
Në reagimin e saj në rrjetin social ” Facebook” Kusari-Lila është shprehur lidhur me takimet e organizuara nga Center for Inclusive Governance (CIG), me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat mbështeten nga Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës dhe zhvillohen që prej vitit 2010. Ajo ka sqaruar se në këto takime kanë marrë pjesë vazhdimisht përfaqësues të spektrit të gjerë politik nga Kosova dhe Serbia, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, si dhe përfaqësues të vendeve të QUINT-it dhe të diplomacisë zvicerane.
Sipas Kusarit, takimet nuk janë të fshehta dhe nuk shërbejnë për negociata apo marrje vendimesh. Ajo ka theksuar se për transparencë të plotë, listat e pjesëmarrësve, agjendat dhe koha e zhvillimit të takimeve janë publike dhe u janë komunikuar paraprakisht institucioneve relevante. Po ashtu, raportet përfundimtare të çdo takimi publikohen në faqen zyrtare të organizatës CIG, së bashku me listën e pjesëmarrësve.
Mimoza Kusari ka bërë të ditur se në diskutimet ku ka marrë pjesë së bashku me deputeten Fitore Pacolli, kanë përfaqësuar dhe mbrojtur qëndrimet zyrtare dhe publike të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ajo ka mohuar kategorikisht pretendimet se në këto takime janë marrë vendime në fshehtësi apo se janë arritur marrëveshje jashtë vëmendjes së publikut, duke i cilësuar këto aludime si të pavërteta dhe pjesë e një fushate dezinformuese.
Sipas deputetes Kusari-Lila , tendenca për të veçuar përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga pjesëmarrësit e tjerë synon ndërtimin e një narrativi të rremë, i cili prej vitesh i servohet opinionit publik. Ajo ka shtuar se këto raportime kanë një agjendë të qëllimshme njëllosëse që po vazhdon edhe gjatë këtij viti.
Në fund të reagimit, Mimoza Kusari ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë ndaj koalicionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e fundit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite, duke i përgëzuar për vigjilencën dhe qartësinë në gjykim përballë fushatave dezinformuese.
Ajo ka uruar gjithashtu një fillimvit të mbarë për të gjithë qytetarët.

















