Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
21 tetor 2025
Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë publike ofertën që i ka bërë Nismës Socialdemokrate në kuadër të përpjekjeve për krijimin e shumicës parlamentare.
Gjatë një takimi me pjesëtarë të diasporës shqiptare në Londër, Kurti ka deklaruar se ka qenë i gatshëm t’i ofrojë Nismës një marrëveshje që përfshin postin e nënkryetarit të Kuvendit, një ministri dhe dy zëvendësministra.
Sipas Kurtit, kjo ofertë ishte e balancuar dhe përputhej me peshën parlamentare të kësaj partie. Ai nuk dha detaje për përgjigjen që ka marrë nga Nisma, por theksoi se përpjekjet për formimin e qeverisë janë në vijim.
Deklarata vjen në një moment vendimtar, kur afati kushtetues për formimin e qeverisë po afrohet, ndërsa negociatat me subjektet tjera politike vazhdojnë të jenë të paqarta.

















