Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
28 nentor 2025
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Flamurit.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar, ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë.
“Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar”, thotë ai.
Mes të tjerash, ai ka shkruar se në këtë datë mbi Kështjellën e Krujës u ngrit flamuri kuqezi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar.
Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë. Pas shumë shekujsh, më 28 Nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që ‘qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre’. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht’, thotë ai.
Kurti shkroi se “Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se ‘në jetën e kombeve, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin”’.
“Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut! Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu”.
“Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri”, theksoi Kurti.

















