Shefi i qeverisë, Albin Kurti, tha se janë grumbulluar shumë materiale që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai tha se nëse do të renditeshin materialet si folderë që rrinë në këmbë, do të bëhej një seri e gjatë 189 metra.
Me këtë rast, Kurti falënderoi qytetarët, Komunat, Ministritë, gazetarët e koleksionistët e ndryshëm që ndanë dëshmitë e tyre, njofton Klankosova.tv.
“Për ta dëshmuar punën e madhe dhe tejet të rëndësishme që mund të bëhet brenda një viti me institucionet që kemi themeluar ne mund të marrin si shembull Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Ky Institut u themeluar për të ruajtur dhe dokumentuar të vërtetën e vuajtjeve dhe sakrificës së popullit të Kosovës. Këtë javë Instituti paraqiti raportin njëvjetor të punës. Nëse do t’i rendisim materialet e grumbulluara si foldera që qëndrojnë në këmbë do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo thënë ndryshe 15.8 terabajt. E gjithë kjo falë përkushtimit të të gjithë atyre që kanë kontribuuar, qytetarëve, organizatave, Institucioneve, Komunave, Ministrive, gazetarëve, aktivisteve të të drejtave të njeriut dhe koleksionistëve të ndryshëm. Faleminderit secilit për dëshmitë që keni ndarë”, u shpreh kryministri.
Ai më tutje kujtoi të gjithë ata që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës.
“Kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe për vendin tonë. Detyra jonë morale dhe institucionale është që të sigurojmë që vuajtjet e tyre të mos harrohen kurrë. Nderim e drejtësi ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës dhe ndaj familjeve që ende bartin dhembjen e të vrarëve dhe të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.