Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
24 nentor 2025
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot një delegacion të Kongresit amerikan, të përbërë nga kongresisti republikan Mike Turner dhe kongresisti demokrat Donald Norcross, të dy anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve. Vizita u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.
Sipas njoftimit zyrtar, Kurti ka theksuar rritjen e bashkëpunimit ushtarak, duke rikujtuar se në katër vitet e fundit mbi 1,000 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar në programe ushtarake amerikane, përfshirë akademitë prestigjioze West Point dhe U.S. Army War College. Ai përmendi gjithashtu ushtrimet e përbashkëta të Defender Europe, duke nënvizuar se edicioni i vitit 2025 ka sjellë vendosjen e Komandës së Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së SHBA-së në aeroportin ushtarak të Gjakovës.
Në aspektin e modernizimit të FSK-së, Kurti deklaroi se Kosova ka prokuruar pajisje të avancuara amerikane, përfshirë sistemet anti-tank Javelin, dhe ka nënshkruar Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA, duke u bërë vendi i 33-të në botë me këtë status të veçantë.
Takimi adresoi edhe mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushat e energjisë, teknologjisë dhe projekteve infrastrukturore, përfshirë zhvillimin hekurudhor.
Kryeministri vuri theksin tek progresi i brendshëm, duke theksuar se Kosova mbetet shembull se si zhvillimi demokratik dhe rritja ekonomike mund të ecin paralelisht. Ai ritheksoi orientimin e palëkundur euro-atlantik të vendit, me synimin për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian si një kontribuues aktiv për sigurinë rajonale.
Në përfundim të takimit, Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane, duke e cilësuar këtë partneritet si shprehje të falënderimit të popullit të Kosovës për rolin historik të Shteteve të Bashkuara.

















