Qeveria e Kosovës nënshkroi sot kontratë-marrëveshjen me kompaninë prodhuese turke “ Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), për ndërtimin e industrisë së fabrikës së municionit në Kosovë. Kryeministri Kurti shtrëngoi duart me zyrtarë të kompanisë kontraktuese pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Kurti: “Sapo nënshkruam kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), me të cilën po vendosim themelet e industrisë sonë të mbrojtjes.”
MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.
Në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore.