Kurti për moscertifikimin e kandidatëve të Listës Serbe: “Është çështje e KQZ-së, jo e imja”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 dhjetor 2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se moscertifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e 28 dhjetorit është përgjegjësi e vetë institucionit zgjedhor.

I pyetur nga gazetarët për reagimet e shoqërisë civile dhe qëndrimin e Ambasadës së SHBA-së, Kurti u shpreh shkurt:
“Ajo është çështje e KQZ-së, ajo është çështje e ambasadës amerikane. Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës.”

Deklarata e tij u bë pas ceremonisë së vendosjes së gurthemelit të tribunës lindore në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Më herët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë kritikoi veprimet e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ për moscertifikimin e Listës Serbe, duke i quajtur këto veprime “të ngushta në vizion dhe përçarëse”.

Sipas ambasadës, të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike, ndërsa pengesa të tilla rrezikojnë stabilitetin në vend dhe ndikojnë negativisht në marrëdhëniet Kosovë–SHBA, përfshirë edhe rifillimin e dialogut strategjik për avancimin e mundësive ekonomike.

Scroll to Top