Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
02 prill 2025
Kryetari i LVV-së, njëherit edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka nisur diskutimet për formimin e qeverisë me partitë politike nga pakicat.
Gjatë të mërkurës, Kurti takoi kryetaren e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi, e pas saj edhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.
Kështu u bë e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vijoi takimet me partitë politike të pakicave, në kuadër të konsultimeve për formimin e qeverisë së re. Ai mirëpriti ministrin për Komunitete dhe Kthim dhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq. Përgjatë diskutimit, ministri Rashiq e përsëriti mbështetjen e tij ndaj kryeministrit Kurti për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm edhe në mandatin e ardhshëm”, thuhet në njoftim.
Kurti e falënderoi kryetarin Rashiq për punën e madhe dhe kontributin e dalluar që ka dhënë për komunitetin serb në Kosovë për vetëm gjysmë mandati si ministër për Komunitete dhe Kthim.
“Ai shprehu gjithashtu vullnetin për vijimin e bashkëpunimit efikas dhe të frytshëm edhe në katër vjeçarin e ardhshëm për të arritur së bashku suksese të tjera dhe punë të mbara në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, thuhet në njoftim.

















