Pas lansimit të projektit të hallkave për mbikëqyrje elektronike, kryeministri Albin Kurti tha se gjurmuesit do të ndihmojnë që si asnjëherë më parë viktimat ta luftojnë suksesshëm dhunën në familje.
Kurti theksoi se mbikëqyrja elektronike do ta reduktojë jashtëzakonisht shumë dhunën në familje, pasi, siç tha ai, në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi, do të lajmërohen të dyja nivelet, lokal edhe ai qendror i Policisë dhe më pastaj vijon procedura standarde për ndërhyrje.
“Ndoqëm demonstrimin që na u prezantua se si funksionojnë hallkat për monitorim elektronik. Hallkat, byzylykët që do të vendosen në dorën ose këmbën e dhunuesit ose të dyshuarit. Në anën tjetër edhe gjurmuesit të cilët do t’i kenë viktimat në mënyrë që ta luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje. Në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi, menjëherë do të lajmërohen të dy nivelet, edhe lokal, edhe ai qendror i Policisë dhe më pastaj janë procedura standarde për ndërhyrje. Problemet më të mëdha i kemi për shkak se nuk respektohen urdhrat mbrojtës. Defekti nuk është mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por mosrespektimi i urdhrave mbrojtëse. Kjo do ta reduktojë jashtëzakonisht shumë dhunën në familje”, tha Kurti.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë.
Dënimet e ulëta dhe veprimet me lëshim në procedurë të rregull nga Prokuroria, po i inkurajon dhunuesit dhe po shndërron në vrasës.
“Ne në vazhdimësi kemi thënë se do të ndërmarrim çdo veprim për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave në Kosovë. Kemi ndërmarr shumë veprime. Kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë. Dhuna në familje nuk është çështje private është përgjegjësi e institucioneve dhe në këtë rast presim veprime serioze sidomos nga Prokuroria dhe Gjykata.”, tha ministrja Haxhiu.