Kurti dënon sulmin ndaj Postës së Kosovës në Veri; Mesazh i rrezikshëm qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

01 prill 2025

Kryeministri në detyrë, Albin Kuti ka dënuar fuqishëm sulmin me granata ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ai ka thënë se sulmi mbartë elemente terroriste,

“Me shqetësim të thellë dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur stabilitetin dhe rendin kushtetues, dënojmë fuqishëm sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, i kryer sot me datë 1 prill 2025.Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.”, shkuran Kurti.

Poashtu ai ka theksuar se në këtë situatë brengosëse mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste”.

“Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese.”

Mes tjerash kryeminisitri në detyrë ka thënë se përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë.

““Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët”, theksoi ai.

Përderisa institucionet e sigurisë së Kosovës janë duke e hetuar rastin, reagim ka pasur edhe nga vetë Posta e Kosovës.

“Sot, pas mesnate, zyra postare Zveçan-2, e vendosur në qendër të Zveçanit, është sulmuar me mjete shpërthyese. Posta e Kosovës Sh.A. dënon ashpër këtë akt kriminal dhe kërkon nga autoritetet kompetente hetimin e plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë”, thuhet në reagimin e Postës.

Scroll to Top