Kurti: Bojkoti i votimit është shkelje e Kushtetutës

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

16 qershor 2025

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i LVV-së, bojkotimin e votimit nga deputetët që marrin pjesë në vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit e ka quajtur sjellje politike të papërgjegjshme dhe njëkohësisht shkelje të Kushtetutës.

“Për bindjen time, ardhja në vazhdimin e seancës dhe bojkotimi i votimit politikisht është sjellje e papërgjegjshme, juridikisht është shkelje e Kushtetutës”, ka theksuar Kurti, duke iu referuar pikës 128 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 gusht 2014.

Sipas këtij aktgjykimi, çdo deputet është i obliguar të votojë – pro, kundër ose të abstenojë – në procesin e konstituimit të Kuvendit.

Kurti ka thënë se konstituimi i Kuvendit nuk është vetëm përgjegjësi e partisë fituese të zgjedhjeve, por e të gjithë deputetëve.

Ai shtoi se pasi të formohet Kuvendi, përgjegjësia e tij do të jetë formimi i qeverisë së re. Deri atëherë, vendi do të qeveriset nga qeveria në detyrë.

Tutje Kurti, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në votim, duke e konsideruar këtë si një obligim kushtetues dhe rrugëdalje nga ngërçi politik.

Scroll to Top