Kujtimet e ’99-ës, hapet Muzeu i parë i Fëmijëve të Luftës

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

23 janar 2025

Lëvizjet e shpejta të familjarëve dhe ikjes nga shtëpia… Strehimi në malet përreth fshatit… Mungesa ushqimesh… Zjarre… Të shtëna armësh… Shtëpi të djegura… Bagëti të vrara e të ngordhura..

Këto janë disa dromca kujtimesh që po sillte ndërmend Gent Behramaj, 31 vjeç, nga fshati Kotorr i Skenderajt, derisa lexonte citate rrëfimesh dhe shikonte lodra, makina druri, fustane kukullash e fotografi të ndryshme – që të gjitha të ekspozuara në Muzeun e Fëmijëve të Luftës në Prishtinë.

Ky muze – i pari i tillë në Kosovë – u hap më 22 janar nga organizata joqeveritare Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS).

Gjatë luftës në Kosovë, më 1999, Genti ishte 6 vjeç.

Atëkohë, thotë se nuk e kishte kuptuar se jetesa nën kërcënimet dhe rreziqet që sjell lufta, nuk është normale.

“Gjërat e para që i kujtoj, janë lufta e dhuna. Më është dukur se ato janë normale. Më është dashur shumë kohë që ta kuptoj se nuk janë”, thotë Genti për Radion Evropa e Lirë.

Filikaçat nga gëzhojat e plumbave

Në njërin nga muret e Muzeut të Fëmijëve të Luftës është i shkruar citati: “Kur nuk kishim me çka të luanim, bënim filikaçka [v.j. pipëza për të fishkëllyer] nga gëzhojat e plumbave”.

“Ky është i imi”, thotë Genti duke treguar nga ai.

Fshati i tij, gjatë luftës, ishte sulmuar tri herë nga forcat serbe. Gjatë ofensivave, banorët iknin dhe strehoheshin në malet përreth.

Genti thotë se, gjatë sulmit të dytë, shtëpisë së tij i ishte vënë zjarri, sikurse edhe shumë të tjerave në fshat.

“Kur jemi kthyer, shtëpia ishte duke u djegur. Mbaj mend një kalë të vrarë dhe disa lopë që i kemi pasur. E gjithë toka ka qenë e shtruar me gëzhoja të plumbave të shkrepur”, kujton sot 31-vjeçari.

“Nuk kemi pasur më lodra, nuk kemi pasur asgjë dhe e vetmja formë për të luajtur, ka qenë me filikaçka. I kemi shfrytëzuar gëzhojat e fishekëve si filikaçka. Mbase edhe jam gëzuar që kemi pasur diçka për të luajtur”, thotë ai.

Rrefimi i Gentit është njëri nga disa dhjetëra rrëfime të tjera, instalacione, fotografi e eksponate, që janë bërë pjesë e ekspozitës “Loja e ndërprerë” në Muzeun e Fëmijëve të Luftës në Prishtinë.

Muzeu është alternativ dhe jotradicional, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtoresha e tij, Bjeshkë Guri.

Ajo tregon se rrëfimet e personave që kanë qenë fëmijë gjatë luftës, janë mbledhur gjatë pesë vjetëve të fundit në zona të ndryshme të Kosovës, kryesisht në ato rurale.

“E përbashkëta e tyre është se fëmijët, gjithmonë, kanë qenë duke lozur. Për shembull, duke lozur kur bombardohen, duke lozur nëpër male, ku janë të fshehur… sepse loja është njëfarë nevoje imagjinare e fëmijëve për ta procesuar gjithë mllefin dhe pasigurinë që janë duke përjetuar”, thotë Guri për Radion Evropa e Lirë.

Përvojat e ekspozuara, sipas saj, janë të fëmijëve të komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Secila e ka përshkrimin në shqip, serbisht dhe anglisht.

Guri thotë se muzeu do të përditësohet edhe me rrëfime dhe eksponate të tjera.

Ideja dhe puna për themelimin e tij nisi pesë vjet më parë nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

Ky është një rrjet rajonal i organizatave joqeveritare, i themeluar në vitin 2003, me programe në Serbi, Kroaci, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Drejtoresha e programit në Kosovë, Marigona Shabiu, thotë se ideja është inspiruar nga muzeu i ngjashëm i fëmijëve të luftës në Sarajevë, i cili ishte i vetmi i kësaj natyre në rajon.

Scroll to Top