Kufiri administrativ i dy komunave të Mitrovicës, a është temë e hapur ende ?

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

07 shtator 2025

Plani i finlandezit, Martti Ahtisari, pos që e solli Pavarësinë e Kosovës, e prodhoi edhe decentralizimin, dhe formimin e komunave të reja.

Mitrovica u nda në dy komuna, ndërsa për vite problem ishte bërë kufiri administrativ, ose më thjesht territoret të cilat do t’i takonin jugut dhe veriut.

Madje, kjo çështje ishte bërë temë e diskutimeve në Bruksel në atë kohë, ndërmjet Agim Bahtirit dhe Goran Rakiqit.

Këtë çështje, Kryesuesi aktual i Kuvendit në Mitrovicën Veriore thotë se e ka hapur para një viti.

Nexhat Ugljanin, mendon se Bordi i përbashkët i të dy komunave të Mitrovicës e ka mundësinë ta qartësojë këtë çështje.

“Kur për shembull është toka në pjesën e veriut, kurse ai si banor është i obliguar që dokumentet t’i nxjerrë në pjesën e jugut edhe është tjetër arsye edhe ka ashtu që janë të pjesës së jugut me pronë edhe kësajde i nxjerrin dokumentacionin në pjesën veriore. Janë probleme të ndryshme, janë fshatra si Vidmriq, është çështja e Suhodollit ku janë shumica nga komuniteti serb, për shembull është vija administrative ku sipas planit të Ahtisarit me u realizu edhe kurrë nuk janë marrë kryetarët sepse është nën kompetencat e kryetarëve, sepse kanë pas bisedime edhe në Bruksel”, ka thënë Ugljanin.

Në Bordin e përbashkët, Komuna e Mitrovicës së Jugut përfaqësohet nga nënkryetari Arian Tahiri, ndërsa ajo e veriut nga Erden Atiq. Në krye me ministrin në detyrë të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, ky Bord është takuar hiç më larg se më 2 shtator.

Scroll to Top