Kryetari Peci: Prishja e koalicionit GUXO-VV me LDK-në ndodhi për kërkesa që nuk ishin në proporcion

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

04 shkurt 2026

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka shpjeguar se prishja e koalicionit mes GUXO-VV dhe LDK-së u shkaktua nga kërkesa që sipas tij nuk përputheshin me fuqinë reale politike të partnerëve në Kuvendin Komunal.

Peci tha se gjatë mandatit të tij ka ruajtur një qasje bashkëpunuese me shumicën e partive dhe asamblistëve, por theksoi se nuk është e pranueshme që një subjekt me përqindje të vogël të kërkojë poste dhe përgjegjësi të shumta në administratën komunale.

“Unë kam qenë tepër bashkëpunues me partitë dhe asamblistët në Kuvend, por nuk mund të pranojmë që një parti me 3% të kërkojë të jetë nënkryetar, të drejtojë ndërmarrjet komunale dhe të ketë përgjegjësi ekzekutive njëkohësisht. Kërkesat duhet të jenë në proporcion me fuqinë politike që përfaqësojmë,” deklaroi Peci.

Ai shtoi se si politikë duhet të ketë një edukim më të madh në përshtatjen e kërkesave me përfaqësimin real në Kuvend, për të shmangur konflikte të ngjashme në të ardhmen.

Scroll to Top