Kryetari Dimal Basha merr pjesë në shënimin e 102-vjetorit të Republikës së Turqisë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

30 tetor 2025

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, mori pjesë dhe mbajti fjalë përshëndetëse në ceremoninë solemne të organizuar nga Ambasada e Turqisë në Prishtinë, me rastin e 102-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë.

Në adresimin e tij, kryetari Basha përcolli urimet më të sinqerta për popullin dhe shtetin turk, duke theksuar miqësinë e thellë historike e kulturore që lidh dy vendet dhe popujt tanë. Ai vlerësoi kontributin e shqiptarëve në zhvillimin e Turqisë përgjatë historisë, si dhe rolin e pandërprerë të këtij vendi në mbështetje të Kosovës.

“Që nga ditët më të vështira të luftës, periudhës së rindërtimit e deri në forcimin e kapaciteteve shtetërore, Republika e Turqisë ka qëndruar krah nesh me mbështetje institucionale, ekonomike dhe humanitare. Sot, marrëdhëniet tona po ndërtohen mbi arritje konkrete, projekte zhvillimore dhe partneritet të fuqishëm politik e institucional,” deklaroi kryetari Basha.

Ai shprehu mirënjohje të veçantë për Gjeneralin Ulutash dhe 730 ushtarët e kontingjentit turk të KFOR-it, të cilët, siç tha ai, “vazhdojnë të jenë të pranishëm për shkak të politikave hegjemoniste të shtetit serb, që ende nuk e pranon realitetin e Kosovës dhe vazhdon me pretendime territoriale.”

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit vlerësoi Turqinë si partner strategjik të Kosovës, me të cilin ndahen vlera të përbashkëta për zhvillim, stabilitet rajonal dhe prosperitet të përbashkët.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë, uroj popullin turk për 102-vjetorin e Republikës së Turqisë, me dëshirën që miqësia dhe bashkëpunimi ynë i shkëlqyeshëm të forcohen edhe më shumë në shërbim të paqes, mirëqenies dhe të ardhmes sonë të përbashkët,” tha Basha

Scroll to Top