Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
19 nentor 2025
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit lidhur me hetimet për Masakrën e Reçakut. Lajmin e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
“Prokuroria Speciale konfirmon se z. Besim Kelmendi është ftuar për intervistim si dëshmitar në kuadër të procesit hetimor për rastin në fjalë,” deklaroi Luta. Ajo shtoi se Prokuroria vlerëson gatishmërinë dhe kontributin e Kelmendit në zbardhjen e kësaj çështjeje penale që është aktualisht në trajtim.
Sipas raportimeve të fundit Kelmendi po konsiderohet si person me njohuri të rëndësishme për rastin, ngase në kohën e Masakrës së Reçakut, në vitin 1999, ai punonte si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë – rol që mund t’i ketë dhënë qasje në informacione të vlefshme për hetimet aktuale.

















