Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 dhjetor 2025
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës, ku pritet të shqyrtohet dhe miratohet rekomandimi për certifikimin e kandidatëve të subjekteve politike të miratuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Në rend dite është edhe certifikimi i listës së votuesve brenda dhe jashtë vendit, si dhe një sërë çështjesh të rëndësishme organizative që lidhen me procesin zgjedhor.
Gjatë mbledhjes, Këshilli për Operacione Zgjedhore do të paraqesë rekomandime për përcaktimin e qendrave të votimit dhe numrit të vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, specifikimet për materialet e posaçme për votuesit e verbër, si dhe numrin maksimal të votuesve në vendvotimet e rregullta.
Po ashtu, pritet miratimi i numrit të vendvotimeve me kusht, ekzemplarit të fletëvotimit dhe procedurave të pranim-dorëzimit të materialeve zgjedhore. KQZ do të shqyrtojë gjithashtu listën e Qendrave të Numërimit të Votave dhe rekomandimin për ndryshimin e lokacionit të qendrës së votimit 2201 në Komunën e Shtimes. Në rend dite është edhe miratimi i procedurës së votimit për personat me nevoja të veçanta.
Ndërkohë, Këshilli për Çështje Ligjore do të trajtojë kërkesat për zëvendësimin e disa anëtarëve të kuvendeve komunale në Ferizaj, Gjakovë dhe Podujevë.
Në fund të mbledhjes pritet të diskutohen edhe pika të ndryshme jashtë rendit kryesor të ditës.

















