Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 tetor 2025
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka organizuar sot në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri Testin me Shkrim për kandidatët për prokurorë të shtetit. Ky test përfaqëson një nga fazat kyçe të procesit të rekrutimit për emërimin e 21 prokurorëve të rinj në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës.
Në këtë fazë të procesit po marrin pjesë gjithsej 153 kandidatë, prej tyre 71 gra dhe 82 burra. Testi është hartuar dhe administruar në ditën e njëjtë të mbajtjes së tij, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë, për të siguruar transparencë, barazi dhe integritet të plotë të procesit.
Mbikëqyrjen e procesit po e udhëheq z. Ardian Hajdaraj, Kryetar i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, së bashku me anëtarët e tjerë të këtij komisioni. Vëzhgimi është duke u bërë nga përfaqësues të EULEX-it dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), si pjesë e angazhimit për një proces të drejtë dhe të besueshëm.
KPK ka njoftuar se pas përfundimit të Testit me Shkrim, faza e ardhshme do të jetë intervista me gojë, e cila do të pasohet nga emërimi i kandidatëve më të suksesshëm në pozitën e prokurorit të shtetit.



















