Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
17 dhjetor 2025
Në Prishtinë është mbajtur tryeza diskutimi me temën: “Sa shpejtë po i afrohet Kosova standardeve të jetesës së BE-së?”, organizuar nga Instituti Riinvest në kuadër të një iniciative rajonale të zbatuar nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në bashkëpunim me “Think Europe” dhe partnerë lokalë. Ngjarja mblodhi ekspertë dhe përfaqësues të ndryshëm për të krahasuar nivelin e zhvillimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me mesataren e Bashkimit Evropian (BE).
Drejtori programor i Institutit Riinvest, Visar Vokrri, tha se gjatë analizës u shqyrtuan mbi 40 indikatorë në tetë fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonomi, arsim, infrastrukturë, shëndetësi dhe mjedis. Sipas të dhënave të prezantuara, Kosova renditet në pozita të ulëta në pothuajse të gjitha fushat krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
“Me trendin aktual, Kosova do t’i duhet më shumë se 100 vjet për të arritur mesataren e BE-së në ekonomi, ndërsa në shëndetësi rreth 41 vjet. Në aspektin e mjedisit, me ritmin aktual, kjo do të marrë po ashtu rreth 100 vjet,” tha Vokrri.
Drejtori i Institutit Riinvest, Alban Hashani, theksoi se rritja ekonomike e një vendi nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me rritje të produktivitetit, institucione funksionale, sundim të ligjit dhe investime kapitale. Ai shtoi se paqëndrueshmëria institucionale dhe politike e periudhës së fundit ka ndikuar drejtpërdrejt në zbatimin e reformave, besueshmërinë e institucioneve dhe perceptimin e Kosovës nga partnerët ndërkombëtarë.
Qëllimi i kësaj iniciative është të ofrojë një vlerësim bazuar në të dhëna mbi konvergjencën ekonomike, sociale dhe institucionale të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, si dhe të ndihmojë në identifikimin e faktorëve që përshpejtojnë ose pengojnë këtë proces.

















