Kosova refuzon kërkesën e ministrit serb të Shëndetësisë për vizitë në Kosovë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

27 mars 2025

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se ka refuzuar kërkesën e ministrit të Shëndetësisë të Serbisë për të vizituar Kosovën. Sipas MPJD-së, ky vendim është marrë në përputhje me parimin e reciprocitetit, pasi Serbia ka refuzuar vizitën e ministrit të Kulturës të Kosovës, Hajrulla Çeku, në Preshevë.

“Qasja e Kosovës mbetet e bazuar në reciprocitetin dhe respektimin e rendit të saj kushtetues. Pas refuzimit të Serbisë për të lejuar ministrin Hajrulla Çeku ta vizitojë Preshevën, Kosova ka refuzuar kërkesën për vizitë të ministrit të Shëndetësisë të Serbisë. Trajtimi i drejtë dhe i barabartë është thelbësor”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë. Përkundër që kemi ndjekur dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për tu pajisur me leje që të zhvillojmë një vizitë në Luginën e Preshevës, kjo na u mohua nga institucionet e Serbisë”, kishte shkruar Çeku.

Scroll to Top