Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
02 maj 2025
Për të gjashtën herë me radhë, deputetët nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin, duke e vënë në pah jo vetëm mungesën e konsensusit politik, por edhe mungesën e vullnetit për të respektuar përgjegjësitë institucionale që dalin nga vetë rezultati i zgjedhjeve.
Kështu thotë në një intervistë për REL, Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë.
Ai thotë se ngërçi institucional, që ka përfshirë Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të fundit, po zgjatet në mënyrë të rrezikshme, duke thelluar krizën politike dhe duke e vendosur vendin në një rrugë të pasigurisë kushtetuese.
” Asgjë e re çka ka ndodh në të kaluarën, as 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, demokracia në Kosovë nuk i nxjerr mësimet, nuk maturohet, vazhdon me sjellje të njëjta, përkundër një procesi zgjedhor dhe një dite të votimit shumë të mirë, përkundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe elaborimeve të sakta të Gjykatës Kushtetuese.
Subjektet politike dhe eksponentët politikë i përdorin manovrat për të parandaluar konstituimin e Kuvendit dhe besoj që do të jemi në një situatë, e cila do të vazhdojë me shumë paqartësi, derisa ndoshta do të kemi një proces të ri të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë duhet të kujdesen edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Siç edhe në të kaluarën, 2014-2017, përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit është e partisë fituese, edhe atëherë edhe tani, partia fituese ka obligim të gjejë një kandidat të pranueshëm për më shumë deputetë, për shkak se kryetari i Kuvendit ka një rol përfaqësues të Kuvendit dhe ka një rol tjetër i cili është edhe ushtruesi i detyrës së presidentit, që domosdoshmërish duhet të jetë një figurë sa më konsensuale. Edhe qeveritë e kaluara, në të kaluarën nuk e kanë bërë, por kemi menduar që tani, pas shumë viteve, politika sadopak është maturuar dhe do të duhej ta bënte. Derisa nuk ndodh kjo, apo një marrëveshje e partisë fituese me partitë e vogla, nuk do të kemi konstituim të Kuvendit.”, theksoi Rashiti.
Kosova nuk po gjen rrugën që të dialogojë me BE-në për heqjen e masave, nuk po bën veprime për t’i bindur ata që të heqin masat. Kosova nuk ka asnjë agjendë reale ndërkombëtare në këtë kohë dhe të gjitha janë në një pritje të një formimi të një qeverie stabile. Edhe ashtu faktori ndërkombëtar nuk do t’i besojë asnjë qeverie minore siç është, duke pas parasysh, siç e thashë, të gjithë presin se ciklet zgjedhore do të pengojnë formimin e ndonjë politike të mirëfilltë dhe afatshkurtër apo afatgjatë të Kosovës.

















