Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
17 dhjetor 2025
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se ka nënshkruar një kontratë kornizë me kompaninë amerikane AM General, një nga prodhuesit më të njohur të industrisë ushtarake.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Maqedonci përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku sqaroi se marrëveshja parasheh blerjen e sistemeve moderne të artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS).
Sipas tij, kontrata përfshin gjithashtu automjete moderne mbështetëse, pjesë rezervë, mirëmbajtje, si dhe trajnim për operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale.
Maqedonci vlerësoi se kjo blerje shënon një fazë të re në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke rritur ndjeshëm fuqinë e zjarrit direkt dhe aftësinë për veprim në distanca të largëta.
Ai theksoi se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërtimit të një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe të ndërveprueshme me aleatët strategjikë, duke garantuar siguri më të madhe për Kosovën dhe stabilitet afatgjatë në rajon.




















