Kosova mes zgjedhjeve dhe fondeve të bllokuara; Çfarë po ndodh? 882 milionë euro pezull

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

06 shkurt 2026

Kosova po qëndron në pritje të “goditjes së fundit” paszgjedhore, një hap ky thelbësor për konstituimin e Kuvendit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që presin prej më shumë se një viti. Për shkak të ngërçit politik dhe zgjedhjeve të reja, Plani i Rritjes mbetet në “stand-by”, duke mbajtur pezull një shumë prej 882 milionë eurosh .

Komisioni Europian konfirmon se Kosova nuk ka humbur biletën e saj për këtë fond. “Kosova mbetet e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes, kur marrëveshjet të hyjnë në fuqi dhe të plotësohen kushtet për pagesë,” tha një zëdhënës i Komisionit.

Megjithatë, pa ratifikimin e marrëveshjeve, fondet mbeten të bllokuara, dhe Kosova nuk mund të nisë kërkesat për pagesë përmes Instrumentit të Reformës dhe Rritjes. Në kushte normale, vendi do të duhej të kishte përfituar tashmë 61 milionë eurot e para, ndërsa nga kjo paketë deri në vitin 2027 mund të sigurojë mbi 880 milionë euro, prej të cilave 250 milionë si grant pa kthim, dhe pjesën tjetër si kredi me kushte të favorshme.

Plani i Rritjes synon të “ngrejë motorin e integrimit” për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përgatitur terrenin për anëtarësimin në BE dhe duke ofruar përfitime konkrete për qytetarët para integrimit të plotë.

Në Kuvend, për ratifikim kërkohen 80 vota apo dy të tretat e deputetëve, por shpesh hasen vështirësi për të arritur kuorumin e nevojshëm, duke lënë marrëveshjet në “qendrën e pritjes”.

Scroll to Top