Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
08 dhjetor 2025
Bashkimi Evropian ka shpallur Kosovën dhe 7 vende të tjera si “të sigurta” për azil. BE ka miratuar vendet e treta të sigurta, në mesin e të cilave përfshihet edhe Kosova.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Këshilli Evropian.
“Sot, Këshilli ka miratuar qëndrimin e tij mbi dy aktet ligjore të BE-së, të cilat do të forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore mbi vendet e sigurta në rregullat e azilit të BE-së. Këto ligje të reja për migracionin synojnë të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive të azilit për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së”, thuhet në komunikatë.
Ky vendim do të lejojë që kërkesat për azil nga qytetarët kosovarë të trajtohen në mënyrë të përshpejtuar. Vendosja e Kosovës në këtë listë bazohet në vlerësimin se vendi ofron mbrojtje të mjaftueshme kundër persekutimit dhe shkeljeve të rënda të të drejtave themelore.
Autoritetet evropiane theksojnë se ky status nuk nënkupton refuzim automatik të çdo kërkese për azil nga qytetarët e Kosovës. Çdo aplikim individual do të shqyrtohet nëse ka arsye specifike për mbrojtje.
Sipas rregullores së re të BE-së për vendet e sigurta të tretë, shtetet anëtare mund të refuzojnë kërkesat për azil kur aplikantët mund të kenë kërkuar mbrojtje në një vend jo-BE të konsideruar i sigurt, duke përshpejtuar procesin dhe, në shumë raste, duke çuar shqyrtimin në një vend të tretë të sigurt.
Përveç Kosovës, në listën e vendeve të sigurta janë përfshirë edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia. Kjo listë e përbashkët do t’u mundësojë shteteve anëtare të përpunojnë kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare më shpejt dhe më efikas.

















