Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
18 dhjetor 2025
Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka reaguar pas vendimit të Bashkimit Evropian për të hequr të gjitha masat ndaj Kosovës, një proces që pritet të përfundojë në fund të janarit 2026 me lirimin e një grupi të dytë të fondeve financiare.
Reuten e ka cilësuar politikën e BE-së ndaj Kosovës si “të tmerrshme” dhe ka theksuar se tashmë është koha që të përshpejtohet procedura e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat, një proces që sipas tij është mbajtur “në sirtar” për shumë vite.
“Çfarë katastrofe ka qenë kjo politikë e BE-së. Tani mund të rifillojmë rrugën evropiane të Kosovës. Hapi i radhës: të përpunojmë kërkesën e anëtarësimit që ka mbetur pezull prej vitesh”, shkruan Reuten.
Ky reagim vjen në një moment kritik, teksa Bashkimi Evropian po përgatitet të çlirojë fondet e mbetura për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke dhënë mundësi për avancimin e reformave dhe integrimin e Kosovës në proceset evropiane.
https://twitter.com/kos_data/status/2001431455092953399/photo/1

















