Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
08 dhjetor 2025
Kosova dhe Shqipëria janë ekonomitë e rajonit me kursime më të larta të depozituara në sektorin bankar, në raport me madhësinë totale të ekonomisë.
Të dhënat krahasuese nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregojnë se në fund të vitit 2024 depozitat bankave të shqiptarëve ishin sa 66.24% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Ky tregues iu kthye rritjes, pas tre vitesh radhazi në rënie. Për vitin 2023, ai kishte qenë sa 61.39% e PBB-së.
Raporti i depozitave ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri nuk ka arritur ende nivelin rekord prej 75% që shënoi në vitin 2020. Pas periudhës së shpejtë të rritjes ekonomike pas pandemisë, shtimi i depozitave ka mbetur më i ngadaltë.
Një ndikim të konsiderueshëm ka pasur edhe kursi i këmbimit. Mbi gjysma e depozitave bankare në vend mbahen në euro, dhe rritja e depozitave gjatë viteve të fundit ka ardhur kryesisht në këtë valutë. Megjithatë, zhvlerësimi i euros ndaj lekut, rreth 25% që nga viti 2020, ka ulur vlerën e depozitave në valutë dhe ka ndikuar tek raporti i tyre ndaj PBB-së.
Megjithatë, për vitin 2024, raporti i depozitave ndaj PBB-së ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm, pjesërisht falë rritjes më të lartë të depozitave në lekë.
Në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, vendi me nivelin më të lartë të kursimeve në raport me PBB-në është Kosova, me 67.18%. Shqipëria renditet e dyta me 66.24%, ndjekur nga Maqedonia e Veriut (63.33%), Bosnje-Hercegovina (53.32%), Mali i Zi (52.44%) dhe Serbia (46.82%).
Në përgjithësi, qytetarët e rajonit vazhdojnë të favorizojnë instrumentet tradicionale të kursimit. Në Shqipëri, megjithëse ka pasur rritje të investimeve në instrumentet e borxhit të qeverisë dhe fonde investimi, pjesa më e madhe e kursimeve mbetet në depozita bankare. Sipas vlerësimeve, në fund të vitit të kaluar, 88% e kursimeve të shqiptarëve ishin depozita bankare, ndërsa pjesa tjetër ishte e shpërndarë në instrumente të tjera si obligacione dhe fonde investimi.
Depozitat e publikut mbeten baza kryesore e ndërmjetësimit financiar në Shqipëri. Një treg i fortë depozitash ka kontribuar në zhvillimin e një sektori bankar të qëndrueshëm dhe të pavarur nga financimi i huaj.
Statistikat nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator 2025 paraqesin totalin e depozitave në banka arriti në 1.793 trilionë lekë ose pothuajse 18.7 miliardë euro. Krahasuar me një vit më parë, depozitat u rritën me 152 miliardë lekë ose 9.3%.


















