Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
11 mars 2025
Javët e fundit kanë treguar, se sa shpejt mund të ndryshojnë situatat nën presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Çfarë mund të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?
Tri luftërat e Jugosllavisë të viteve 1990 – në Kroaci (1991-95), Bosnjë – Hercegovinë (1992-95) dhe Kosovë (1999) – morën fund përfundimisht nën udhëheqjen e SHBA-së.
Që atëherë dy misione ushtarake të drejtuara nga BE dhe NATO garantojnë paqen në këto ish-zona lufte.
Por që prej më shumë se dy vjetësh situata në Ballkanin Perëndimor acarohet vazhdimisht.
Spiralja e dhunës filloi në dhjetor 2022.
Pasi përfaqësuesit e pakicës serbe në Republikën e Kosovës nën orientimin e kryeqytetit të Serbisë, Beogradit, u larguan nga institucionet e shtetit kosovar – gjyqësori, policia dhe administrata – presidenti serb Aleksandar Vuçiç filloi një grumbullim të trupave në kufirin verior të vendit fqinj.
Ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger akuzoi Vuçiçin se dëshironte të “luante rolin e një Putini të vogël”. “Më duket e paimagjinueshme, se si Vuçiq dhe udhëheqja serbe po nxisin telashe këtu. Fajin për këtë shkallëzim ia jap ekskluzivisht Beogradit”.
Vuçiq nga ana tjetër theksoi, se ushtria e Serbisë do të mbronte pakicën serbe në “krahinën jugore” të Serbisë – siç e quan ende udhëheqja në Beograd, Kosovën, e cila nuk ka qenë nën kontrollin serb që nga viti 1999.
Gjatë vitit 2023, situata u përshkallëzua: Në trazirat në maj serbë të dhunshëm goditën dhe plagosën 90 ushtarë të NATO-s nga trupa e paqes në Kosovë, KFOR.
Situata në Kosovë për pak sa nuk përshkallëzoi
Në shtator të vitit 2023 pranë manastirit ortodoks serb Banjska në veri të Kosovës pati luftime mes paraushtarakëve serbë dhe policisë kosovare.
Katër vetë humbën jetën dhe dhjetëra paraushtarakë serbë të udhëhequr nga një i besuar i Vuçiqit arritën të arratiseshin në Serbi.
Ata lanë pas një arsenal ushtarak modern me vlerë milionash nga rezervat e ushtrisë serbe, që mund të kishte pajisur më shumë se 100 luftëtarë.
Këtu me sa duket ishte planifikuar një operacion më i madh ushtarak – ndoshta me qëllim pushtimin e katër komunave veriore të Kosovës, ku minoriteti serb përbën shumicën e popullsisë në vendin e banuar kryesisht nga shqiptarët.
Në tetor 2023 Vuçiqi urdhëroi pastaj tanket të drejtoheshin drejt Kosovës, të cilat u ndaluan vetëm nga ndërhyrjet diplomatike nga Uashingtoni dhe NATO.
Në prill 2024 gjenerali amerikan Christopher Cavoli, Komandanti Suprem i NATO-s për Evropën, paralajmëroi Kongresin e SHBA për synimet e Beogradit, duke thënë se rritja e trupave serbe pas sulmit në Banjska ishte “kërcënimi më i madh i dhunës ndërshtetërore” prej 25 vjetësh.
0