Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
22 janar 2026
Një operacion i gjerë kundër trafikimit të narkotikëve ka çuar në konfiskimin e mbi 76 kilogramëve marihuanë dhe arrestimin e tre personave të dyshuar. Aksioni është zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.
Operacioni, i koduar “Bregdeti”, ka kulmuar mbrëmjen e 21 janarit 2026, rreth orës 23:00, pranë pikëkalimit kufitar në Merdare. Atje, policia ka ndaluar një kamion me targa vendore, i drejtuar nga i dyshuari me inicialet H.S. Gjatë kontrollit të mjetit, autoritetet kanë zbuluar 68 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 76 kilogramë e 800 gramë, të fshehura në kamion.
Pas ndalimit, me urdhër të prokurorit të shtetit dhe në asistencë të Njësisë për Reagim të Shpejtë, është kryer bastisje edhe në shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë kontrollit janë sekuestruar një armë zjarri me pesë fishekë, dy vetura, një kamion, një telefon celular si dhe 2 mijë e 950 euro para të gatshme.
Operacioni policor ka vazhduar edhe një ditë më pas. Më 22 janar, policia ka realizuar bastisje në dy lokacione të tjera në fshatin Godishnjak të Podujevës, në shtëpitë e dy të dyshuarve të tjerë. Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe katër paketime të tjera me marihuanë, me peshë mbi katër kilogramë, dy vetura, dy telefona celularë, materiale për paketimin e narkotikëve, si dhe një armë gazi.
Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.
Nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës është bërë e ditur se institucionet e rendit mbeten të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, me synim rritjen e sigurisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

















