Komuna e Prishtinës falënderon zjarrfikësit pas ndërhyrjes së shpejtë në shuarjen e zjarrit në Breg të Diellit

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

13 qershor 2025

Një zjarr ka shpërthyer sot pasdite në një pjesë të Qendrës Tregtare në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Sipas Komunës së Prishtinës, incidenti është raportuar rreth orës 16:53, ndërsa falë ndërhyrjes së shpejtë të Brigadës së Zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar dhe vënë nën kontroll deri në ora 17:15.

Në një postim në Facebook, Komuna ka publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes dhe ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit, të cilët u vlerësuan për reagimin profesional dhe përkushtimin në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

“Reagim i shpejtë dhe shembullor! Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të Brigadës së Zjarrfikësve të Kryeqytetit, zjarri u lokalizua dhe u vu nën kontroll plotësisht deri në ora 17:15 – vetëm pak minuta pas alarmit”, thuhet në postim.

Po ashtu, Komuna ka falënderuar edhe Policinë e Kosovës për ndihmën dhe bashkëpunimin gjatë gjithë ndërhyrjes.

“Qyteti është më i sigurt falë jush”, thuhet në fund të reagimit.

Scroll to Top