Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, tha se sulmi i fundit në kanalin Ibër-Lepenc, afër Zubin Potokut, dëshmon për ndjeshmërinë e situatës së sigurisë, e cila është e ndjeshme ndaj keqpërdorimeve të mundshme.
Ai tha se bashkëpunimi me institucionet e Kosovës, duke përfshirë organet e sigurisë, është shumë i mirë.
Komandanti i KFOR-it, duke folur për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, tha se në këtë rast nuk ka pasur nevojë të dislokohet Forca e Sigurisë së Kosovës, sepse Policia e Kosovës,me mbështetjen e EULEX-it dhe KFOR-it, ka qenë absolutisht në gjendje ta menaxhojë atë situatë.
Ai shtoi se për dislokimin e FSK-së ekzistojnë procedura të veçanta.
Barduani duke folur për sigurinë tha se situata është e qetë, por ende e brishtë, kryesisht për shkak të çështjeve të pazgjidhura politike, teksa shtoi se rreziku real për përshkallëzimin e tensioneve, përfshirë marrëdhëniet ndëretnike, sipas tij, është i lidhur me dezinformimin vend dhe në të gjithë rajonin.
Ndërkaq lidhur me hapjen e urës mbi lumin Ibër, gjeneral Barduani u shpreh se qëndrimi i KFOR-it për urën e Ibrit ka qenë i qartë dhe konsistent.
“Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim në kohë dhe efektiv me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Barduani në RTK2.
Ai tha se bashkëpunimi me institucionet e Kosovës, duke përfshirë organet e sigurisë së Kosovës, është shumë i mirë.
Gjeneralmajori Barduani, mes të tjerash, ritheksoi se KFOR-i dënon ashpër sulmin e fundit në kanalin e ujësjellësit Ibër-Lepenc, në Zubin Potok.