Komandanti i KFOR-it: Komunikimi me ushtrinë serbe është thelbësor për parandalimin e tensioneve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 dhjetor 2025

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka theksuar rëndësinë e komunikimeve të rregullta me Forcat e Armatosura të Serbisë, si një mekanizëm kyç për parandalimin e përshkallëzimeve në terren.

Deklaratat e tij erdhën pas vizitës në Serbi, ku u takua me shefin e ushtrisë serbe, gjeneralin Millan Mojsilloviq. Ulutash tha se këto kanale komunikimi janë “vitale” për të adresuar zhvillimet e sigurisë dhe për të reaguar në kohë ndaj çdo rreziku të mundshëm.

“Komunikimet e rregullta dhe të hapura mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë janë thelbësore për të parandaluar çdo përshkallëzim. Në javët dhe muajt në vijim do të vazhdoj të siguroj që këto komunikime të shfrytëzohen sa më mirë,” theksoi ai.

Ulutash kujtoi se edhe gjatë mandatit të tij të parë në krye të KFOR-it ka vizituar Beogradin dhe ka ndërtuar një bashkëpunim të hapur me Mojsilloviqin, të cilin e falënderoi për mikpritjen.

Kreu i KFOR-it nënvizoi se misioni mbetet i përkushtuar për të garantuar siguri në Kosovë, duke krijuar kushtet e nevojshme për dialogun politik.

“NATO, përfshirë edhe përmes punës së përditshme të KFOR-it, vazhdon të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit, si kornizë për adresimin e çështjeve të hapura në dobi të të gjithë qytetarëve,” shtoi ai.

Scroll to Top