KMDLNj thirrje për protesta masive, paralajmëron se çmimet e faturave të energjisë elektrike do të jenë më të larta se vitin e kaluar

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

06 janar 2026

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka vlerësuar se çmimet e faturave të ujit dhe energjisë këtë vit janë edhe më të larta se në vitin e kaluar. Në një komunikatë zyrtare, KMDLNj thekson se shtrenjtimi i energjisë dhe ujit do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në çmimet e artikujve të tjerë të domosdoshëm për mbijetesë.

Sipas KMDLNj, faturat e ujit nga janari i vitit 2026 do të rriten deri në 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Njëkohësisht, ZRrE ka paralajmëruar shqyrtimin e çmimit të energjisë elektrike, gjë që pritet të çojë në fatura të papërballueshme për shumicën e familjeve dhe të ngufasë bizneset, shumë prej të cilave janë në prag të falimentimit.

KMDLNj ka kritikuar ZRrE-n dhe qeverinë për mosveprim dhe për favore ndaj oligarkëve të lidhur me mafien energjetike, duke dëmtuar qytetarët dhe bizneset e vendit. Sipas Këshillit, efekti i shtrenjtimit të ujit dhe energjisë do të ketë pasoja zinxhirore, duke rritur çmimet edhe për shërbime dhe produkte të tjera.

Për këtë arsye, KMDLNj i bën thirrje qytetarëve të Kosovës të kundërshtojnë shtrenjtimet dhe të protestojnë duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë. Këshilli i fton gjithashtu partitë politike, si pozitën ashtu edhe opozitën, që të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe jo ato të mafies energjetike.

“Këto shtrenjtime, që janë jashtë mundësive të shumicës së familjeve dhe bizneseve, shkelin të drejtat e njeriut, rrënojnë cilësinë e jetës dhe rrezikojnë falimentimin e bizneseve”, thuhet në komunikatë.

Scroll to Top