Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
18 mars 2025
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut [KMDLNJ] ka reaguar pas paralajmërimeve për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike.
KMDLNJ-ja ka akuzuar Qeverinë se gjatë mandatit të saj çmimi i energjisë është rritur për mbi 130% dhe sipas tyre tani po shfrytëzohet vakuumi i krijuar për të ia lejuar ZRRE-së rritjen e çmimit të energjisë.
KMDLNJ-ja u ka bërë thirrje qytetarëve të kundërshtojnë paralajmërimet për rritje të çmimit me protesta, duke mos përjashtuar as bllokimin e zyrave të ZRRE-së ose ministrive përkatëse.
“KMDLNJ-ja ka thirrur qytetarët e Kosovës të kundërshtojnë në mënyrë të organizuar këto keqpërdorime nga ZRRE-ja dhe Qeveria e Kosovës përmes organizimit të protestave dhe mënyrave të tjera të kundërshtimit demokratik dhe paqësor siç janë bllokimi i zyrave të ZRRE- së ose ministrive përkatëse”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Reagimi i plotë:
Nëse dikush i ka dëmtuar më së shumti qytetarët dhe bizneset e Kosovës dhe nuk është dënuar janë piratët grabitës të ZRRE-së, që nga paslufta e sidomos sot. Qeveria Kurti 1 dhe 2 deti më tani i ka rritur faturat e rrymës mbi 130 për qind kurse po kjo qeveri po e shfrytëzon një vakuum të krijuar duke e lejuar strukturën zhvatëse ZRRE-së të rrisë rrymën së paku për 15 për qind shtesë.
Para zgjedhjeve qeveria e Kosovës thoshte se rryma nuk do të shtrenjtohet që ishte deklaratë politike mashtruese kurse ZRRE deklaronte gjithashtu se nuk do të ketë rritje të faturave të rrymës e që ishte vetëm alibi për krimin e radhës ekonomik dhe social. Po kjo ZRRE, thuaja për 15 vite i ka vjedhur qytetarët shqiptarë dhe joserbë duke ua fryrë faturat për të kompensuar rrymën e papaguar nga serbët e veriut dhe vendeve tjera në Kosovë. Përkundër një vendimi të gjykatës përkatëse për kompensim kjo është mjegulluar nga ZRRE me disa shifra qesharake dhe as ato nuk janë kompensuar. Pasi u vërtetua se ZRRE gjatë 15 viteve kundërligjshëm ka plaçkitur qytetarët e Kosovës, Prokuroria e Shtetit është dashur të ndjekë sipas detyrës zyrtare keqbërësit apo strukturat kriminale në ZRRE.