Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
17 dhjetor 2025
Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë pjesërisht disa nga masat e vendosura ndaj Kosovës, duke mundësuar investime të mëdha në projekte prioritare zhvillimore. Vendimi është konfirmuar përmes një letre zyrtare të dërguar zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, nga Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për Zgjerim në BE.
Në letër theksohet se Komisioni Evropian ka autorizuar heqjen e disa masave që lidhen me programimin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare. Sipas Koopman, procesi i heqjes graduale të masave ka nisur që në muajin maj, pas veprimeve konkrete për uljen e tensioneve në veri të vendit. Ai ka vlerësuar pozitivisht transferimin paqësor dhe demokratik të pushtetit lokal pas zgjedhjeve, si dhe largimin e forcave policore nga objektet komunale.
Në përputhje me këto zhvillime dhe Komunikimin e Komisionit Evropian për Zgjerimin 2025, Kosova është ftuar të dorëzojë sa më shpejt propozimet për financim në kuadër të IPA 2026–2027.
Masat e hequra përfshijnë një paketë kontratash prioritare që mbulojnë katër projekte madhore:
- 17.6 milionë euro për impiantin e ngrohjes qendrore të Prishtinës, në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve;
- 12 milionë euro për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura në Termocentralin Kosova B, në bashkëpunim me Zyrën e OKB-së për Shërbime të Projekteve;
- 3 milionë euro për skemën “Young Cell”, me grante direkte përmes Universitetit të Selanikut;
- 2 milionë euro për mbështetjen e kompanive për menaxhimin e deponive në Kosovë, përmes një kontrate me Bankën Gjermane për Zhvillim.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të projekteve zhvillimore dhe forcimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

















